
Ministria e Financave ka kthyer për ridiskutim me biznesin një projekt të riformuluar të tatimit progresiv mbi kompanitë e mëdha
Ministria e Financave ka kthyer për ridiskutim me bankat Tatimin Progresiv, një taksë e re e projektuar nga qeveria për të tatuar fitimet e larta të këtyre kompanive. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur, në ditët në vijim do të ngrihet një grup pune, ku pritet të riformulohet drafti. Vendimi për tërheqjen për rishikim të projektligjit nga Ministria e Financave është bërë para pak ditësh dhe pritet të diskutohet me përfaqësuesit e biznesit. Drafti i parë për tatimin mbi fitimin, parashikonte aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit. Kështu, ishte propozuar dyfishimi e tatimfitimit për ato kompani që deklarojnë se kanë fitime mbi 20 për qind të xhiros, si dhe trefishimin të tij për ato biznese që deklarojnë se kanë fitim mbi 30 për qind të xhiros. Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë një rendësi të madhe edhe për buxhetin, pasi subjektet që preken nga ato janë kryesisht bizneset e mëdha, si bankat, kompanitë e telefonisë celulare apo prodhues të rëndësishëm, të cilat kontribuojnë me sasi të konsiderueshme detyrimesh në arkën e shtetit. Rishqyrtimi që pritet t'i bëhet draftit të tatimit progresiv është pritur mjaft mirë nga komuniteti i biznesit. Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla, u shpreh se, në ridiskutimin e këtij projektligji në Këshillin Konsultativ të Biznesit, pritet të merren parasysh kërkesat e sipërmarrësve, të cilët kanë kërkuar një tatim progresiv mbi 40 % të fitimit. Sipas përfaqësuesve të biznesit, drafti i propozuar nga Qeveria dëmtonte klimën e biznesit, rrezikonte investimet private, por mund të dëmtonte dhe konsumatorët, sepse rritja e tatimeve është një shtysë për rritje të çmimeve. Sipas variantit fillestar, draftligji për tatimin progresiv të kompanive të mëdha, sipas fitimit të tyre ka për qëllim të zbusë koston që rëndon mbi xhepat e konsumatorëve nga shërbimet, si bankat, telefoninë celulare etj. Tatim fitimi mbi kompanitë, të cilësuara si biznes i madh, do të rritet deri në 30 për qind, nga 10 për qind që aplikohej. Sipas draftligjit të përfunduar nga Ministria e Financave, ky tregues do të rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30%, në 70% dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit, nga 20%, deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Vendimi për të tatuar mbi fitimin kompanitë e mëdha u mor nga Kryeministri Berisha në mbledhje qeverie pak kohë më parë, duke u nisur nga konsumatori, i cili në 10 vitet e fundit është vjedhur si nga bankat, ashtu edhe nga kompanitë celulare.
Paketa e re fiskale gati në qershor
Një paketë e re fiskale do të jetë gati në qershor, para se të kalojnë në Kuvend ndryshimet në buxhetin e vitit 2011. Ministria e Financave, në kuadër të rishikimit tradicional të legjislacionit tatimor, do t'i kalojë ndryshimet në formën e një paketë. Kështu pritet të ndryshojë akciza me tendencë rritje për cigaret dhe disa mallra të tjera që taksohen me akcizë. Gjithashtu, pjesë e paketës fiskale do të jenë edhe disa procedura tatimore dhe tatimi progresiv mbi kompanitë që tashmë është në diskutim me komunitetin e biznesit. Paketa e re fiskale do të përmbajë edhe ligjin për taksën e makinave të përdorura, e vënë një vit më parë, e cila konsiderohet tashmë e pasuksesshme. Paketa fiskale pritet të dërgohet në Kuvend përpara buxhetit të rishikuar, që sipas traditës së kësaj qeverie bëhet prej disa vitesh në muajin korrik.
www.mapo.al
One Logo Communicate...Thousands Of Ideas. Logo speaks Volumes. We Design
30 March 2011 Lexo me shume...Colors, shapes, reflect the history that your business want to tell. Let us do what we do best
30 March 2011 Lexo me shume...We optimize your Web site for better ranking in search engine results. Study on Keywords, tags, search...
30 March 2011 Lexo me shume...