
Todi Llupi është humorist me një profil të spikatur, por që në kujtesën e të gjithëve ai evidentohet me rolin e Malos te skeçi “Po martojmë Malon”. Ai ka një galeri të tërë rolesh. Aktualisht është një ndër aktorët më të spikatur të Estradës së Fierit dhe së fundmi është risjellë edhe në shesh xhirim nga regjisori Bujar Alimani. Në filmin “Amnistia” Todi Llupin do ta shihni në një profil krejt tjetër. Ai është vjehrri i sertë, ai është muzikant, ka pasionet e tij, por nga ana tjetër është ai pensionisti që në fund të muajit numëron paratë. Ai është dhe vrasësi që, teksa kryen krimin, largohet krejt i ftohtë nga vendi i krimit, hedh tutje çiften dhe duket sikur i dorëzohet totalisht fatit të tij. Kështu mbyllet filmi “Amnistia” i regjisori Bujar Alimani. Portreti i Todi Llupit si Remziu është një tjetër imazh ndryshe që sjell ky film. Aktori “i veshur” në sytë e publikut nga rrobat e humorit, këtu zhvishet dhe vjen para publikut me rolin më dramatik të jetës së tij.
Ky është roli juaj i parë dramatik në film?
Ky është roli më dramatik që kam luajtur dhe kur ma besoi Bujar Alimani e kam pyetur veten shumë herë.
Përse, nuk ishit i bindur për atë rol?
Duke qenë se unë vij nga Teatri i Estradës, dhe duke mbajtur parasysh një këshillë të një regjisori shqiptar të njohur në shkallë vendi, si Pëllumb Kulla, që thotë se: kur nuk je i bindur në një rol të mirë dhe kur ai nuk është në nivelin e atyre roleve të mira që ke bërë, më mirë mos e bëj. Më mirë të mbash ato role të mira që ke bërë e të mos biesh poshtë. Në fillim mendova se nuk është një rol për mua.
Po pse vendosët ta merrni këtë rol? Çfarë ju bëri të ndryshoni mendje?
Duke patur parasysh dhe këtë, jam menduar shumë për këtë rol. Duke lexuar skenarin, mendoja se nuk ishte për mua, por pastaj m'u mbush mendja dhe u bëra trim dhe e pranova. Ishte një sfidë për mua. Roli vërtet më pëlqeu kur u bëra njësh me të.
Si e shihni ju Remziun, rolin që sillni në këtë film?
Remziu nuk është vrasës, për mua. Remziu është si çdo qytetar tjetër, me hallet e tij, me brengat e tij. Remziu ka jetën e tij. Ai është muzikant, i bie gajdes, është gjahtar. Por të tëra këto në këtë periudhë tranzicioni ai i ka lënë mënjanë. Pasionet e tij kanë zënë pluhur, s'ka kohë më t'i bjerë gajdes e të dalë për gjah, sepse mendon për ato tri gojë që ka për t'i ushqyer me bukë.
Po marrëdhënien e tij me nusen e djalit? Ai e “mbulon” tradhtinë e saj disa herë, por pastaj merr vendimin të vrasë nusen dhe të dashurin e saj, që është dhe fundi i filmit?
Ai, krahas hallit që e ka zënë si baba, që i biri i ka rënë në burg, duhet që të përballojë edhe faktin se nusja e djalit ka lidhur një dashuri të re. Ai mundohet ta shmangë këtë. Mundohet t'i ndajë dy të dashuruarit, siç është momenti që ai përplaset në makinë, por nga ana tjetër edhe mundohet ta mbulojë tradhtinë e nuses kur i biri del nga burgu. Por i dashuri i saj me vrullin që ka marrë për ta gjetur nusen, duket sikur gati-gati do të ngjitet edhe lart në shtëpi ku është familja e tij, djali me nusen dhe dy djemtë. Në këtë situatë Remziu me mentalitetin që ka mendon: deri këtu, se më tej në shtëpi nuk mund të të pranoj. Dhe kështu merr çiften për t'i vrarë dhe i vret. Por, sipas meje, ai nuk është aspak vrasës, por rrethanat dhe kushtet në të cilat ai u ndodh e detyruan që të nxirrte çiften e pluhurosur dhe t'i vriste.
A shfaq një lloj krenarie Remziu përballë atyre dy kufomave që qëndrojnë të lyer në gjak në mes të rrugës?
Jo, nuk shfaq aspak krenari, përkundrazi ai ka dhimbje. Sepse ai nuk është vrasës, por duket sikur pyet përse erdhëm deri këtu? Edhe kur ikën dhe hedhë çiften, ai mbart dhimbjen për atë që ka bërë.
mapo.al
One Logo Communicate...Thousands Of Ideas. Logo speaks Volumes. We Design
30 March 2011 Lexo me shume...Colors, shapes, reflect the history that your business want to tell. Let us do what we do best
30 March 2011 Lexo me shume...We optimize your Web site for better ranking in search engine results. Study on Keywords, tags, search...
30 March 2011 Lexo me shume...