Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com
  • Lajme Flash
Lajmet kryesore: Me 21 Dhjetor Kemi Diten Me Te Lumtur Ne Bote - Tuesday, 11 December 2012 18:53
Lajmet kryesore: Festimet për 100-vjetorin e pavarësisë së vendit - Friday, 23 November 2012 23:11
Lajmet kryesore: Njerëzit dynden për Skënderbeun - Friday, 23 November 2012 22:09
Lajmet kryesore: Kliko per te pare Google Kuq e Zi - Friday, 23 November 2012 21:17
Lajmet kryesore: Xhim Begeja me Ekipin e alpinisteve shqiptare ve flamurin ne Everest - Friday, 23 November 2012 20:06
Argetim: Më e mirë e ëma se e bija! - Thursday, 02 June 2011 14:17
Kulture: Bienalja, 5 shqiptarët sot në Venecia - Thursday, 02 June 2011 14:15
Kulture: Duff McKagan sukses në "Qemal Stafa" prezanton albumin - Thursday, 02 June 2011 14:13
Politika: ODIHR: Fletët gabim, vendos Kolegji - Thursday, 02 June 2011 14:09
Blue Grey Red

"Traviata" pa lekë, me dy gozhdë e dy dërrasa

Teksa moshatarët e tij këngëtarë në Opera, kishin fiksuar sytë te transmetimet e pafundme politike në televizor, Shyqyri Caushaj fliste për operën "Traviata" të Xhuzepe Verdit, që e ka në mendje prej 30 ditësh, qysh kur vendosi për të realizuar me zero lekë aktin e tretë të saj. Kjo pjesë e Operës, u shfaq mbrëmë në Teatrin e Metropolit, duke sjellë një dëshmi sesi mund të bëhet art edhe pa para.


Studentit të vitit të dytë për regji teatri në Akademinë e Arteve, Caushajt 20 vjeçar, i lindi ideja për të punuar me këtë vepër teksa ndiqte në sallën e Teatrit të Operës një nga shfaqjet e saj në muajin prill. Si iu duk "Traviata" atë natë? "Pak e vakët", thotë ai, "mungonte mjeshtëria e aktorit, fantazia dhe imagjinata". Vetiu i lindnin ide akt pas akti për realizimin e veprës nëse do ta kishte ai në dorë, teksa e shikonte ulur në një nga stolat e atij teatri.


Pa para, pa kushte, e pa mbështetje, por me guxim dhe pasion, ai mori përsipër realizimin e vetëm një akti nga kjo opera. Realizimi i së gjithës ishte, kuptueshëm, i pamundur! Shyqyriu ndjek një moto në punën e tij: "disfavorin ktheje në favor", që e ndihmoi t'ia dilte mbanë edhe kësaj here. "Nuk kisha para, nuk kisha sponsor, vetëm pesë solistë dhe një koncertmaestër, dy gozhdë e dy dërrasa", tregon studenti, që e nisi punën për këtë shfaqje nga hiçi.


Ama kishte kurajo për t'i kërkuar këngëtarëve të Operës, Emiljana Palushajt, Lindita Kolës, Armando Likajt, Solen Allës, të vinin në shfaqjen e tij pa ndonjë shpërblim. Kurse, Elson Brahës, që deri më tani është parë si figurant dhe me role të dyta në Opera, i dha mundësinë të interpretonte në një rol të parë, atë të Alfred Zhermonit. Këtij grupi të rinjsh i besoi edhe Ingrid Pulizo, pianiste prej vitesh e Operës. Ideja e Caushajt dhe e grupit të tij u bë konkrete kur iu hapën pa asnjë kosto dyert e Teatrit të Metropolit, për sallën "Shekspir". Kjo sallë ishte e duhura për atë lloj teatri që ai kërkon të realizojë, një teatër i varfër në objekte dhe i pasur në emocion.


Kohët e fundit, Shyqyri Caushajt iu dha një mundësi nga Akademia e Arteve për një specializim në Marsejë nën drejtimin e profesorit Jean-Pierre Raffaelli, një seri leksionesh mbi "Teatrin e Varfër" të Grotovskit dhe Mjeshtërinë e Aktorit. I ka ende të freskëta në mendje mësimet mbi teatrin që i japin liri imagjinatës. Kështu filloi puna për një "Traviatë" të "zhveshur" nga madhështia dhe shkëlqimi, pa shandanë, pa veshjet mondane, pa fustanët dhe dorashka e zonjave.


Me rëndësi ishte mesazhi i operës dhe emocionet që përcjell. Ato pak objekte që ndodhen në skenë, duhet të jenë në funksion të shprehjes së mesazhit. Dhe ja sesi e mbushi Shyqyriu skenën që pati në dispozicion:


"U krijua një pod me gozhdë dhe dërrasa, që është krevati i Violetës, i vendosur në mes të skenës. Të gjitha i kam sajuar vetë. Kam blerë vajguri për të ndezur 4 pishtarët, fitilat i kam bërë po vetë, pa asnjë lloj ndroje kam hipur në pemët pas TKOB-it, për të marrë gjethe të kalbura dhe me to kam rrethuar skenën rreth e përqark. Është një metaforë për njerëzit që rrethojnë Violetën, për shoqërinë e kalbur të kohës".


Kështu u realizua skenografia. Kostumet i kanë sjellë vetë solistët dhe i kanë përshtatur për këtë shfaqje.
Qysh kur filloi nga puna me operën "Traviata" ("La Traviata" 1853) me libret të Francesco Maria Piave-s, Caushaj e kishte përtypur mirë veprën e Dymasë (i biri), "Zonja me Kamelie". U thellua në jetën tragjike të Violeta Valerit, kurtizanes që vdes e vetme dhe e përbuzur nga shoqëria e kohës, Parisi i shek XVIII. Është shoqëria e kohës që individin kërkon t'ia dobësojë fuqitë, ta fundosë, ta rrënojë.


Për këtë arsye në regjinë e tij, Shyqyriu i devijon finales së operës që të gjithë njohin. Këtu Violeta vdes vetëm. Ardhja e Alfredit ndodh vetëm në imagjinatën e saj, në ëndërr. As sakrifica dhe lufta e brendshme nuk e ndihmuan atë t'i ndryshonte rrjedhë fatit. "Personazhi i saj na jep një mesazh shumë të fortë. Njerëzit që e rrethojnë, nuk e mundin dot atë. Shpirtin nuk arrijnë t'ia marrin.", thotë Caushaj.


Stafi energjik i kësaj opere i ka kushtuar rëndësi studimit të thellë të personazhevenë, kush janë, nga vijnë, ç'kohë jetojnë. Për solistët e Operës, Palushajn dhe Likajn, që janë angazhuar me jo pak role me peshë në skenën e madhe, puna tani përqendrohet te shprehja e lirë e personazhit, ai të doktorit, ajo të Violetës. Në këtë pjesë, doktori nuk është thjesht njeriu që i sjell ilaçet te koka heroinës. Ajo i drejtohet atij jo vetëm për vuajtjet e trupit, por edhe të shpirtit.


Çfarë i ke kërkuar mexosopranos Lindita Kola?-e pyesim Caushajn. "Të jetë vetja. Unë aktorëve, kështu dua t'i quaj sepse kemi punuar shumë me mjeshtërinë e aktorit, nuk i kërkoj të luajnë karakteret. Një aktor i mirë luan veten në një situatë tjetër". Alfred është Elson Braha, kurse Zhorzh Zhermon Solen Alla.


Në fund të aktit të tretë të operës "Traviata", publiku pa edhe një dokumentar të përgatitur nga regjisori me pjesë nga provat, ku shihej qartë puna me veprën.


Caushaj: Ëndërroja futbollin


"Që në moshën 6 vjeçare babai më dhuroi një fizarmonikë dhe më tha: Kjo është buka jote. Dhe ishte e vërtetë". Kujton sesi filloi mësimet e para për fizarmonikë Shyqyri Caushaj, që realizoi një natë më parë regjinë e aktit të tretë të operës "Traviata" në Teatrin e Metropolit.


Por pasioni i parë i Shyqyriut sot 20 vjeçar nuk ka qenë muzika, por futbolli. Një aksident në lojë me ekipin "Beşiktaş.J.K", në Stamboll, e detyroi që të hiqte dorë nga ai. Nuk i ngelet peng sepse aty mësoi "ç'është disiplina, puna në grup, sfida, triumfi, humbja, rezistenca, respekti për kundërshtarin", që sot e ndihmojnë në punën në teatër.


Shyqyriu ka jetuar 1 dekadë në Stamboll dhe 1 në Shqipëri. Në Stamboll shkoi 6 muajsh, kur në vitet '90 familja e tij emigroi në vend të huaj. U kthye në Shqipëri 12 vjeç dhe u largua 17. Në kohën që qendroi në Shqipëri, u aktivizua në ekipin e futbollit "Tirana", të cilit i dha kupën e Kampionatit për moshat 17-vjeçare në vitin 2006.


Në Stamboll shkoi për ta çuar më tej pasionin e tij. U aktivizua në ekipin Beşiktaş.J.K dhe ndërkohë ndiqte mësimet në liceun "Vefa Poyraz". Me ekipin e Stambollit luajti vetëm një vit. Pas aksidentit në gju, i dha fund me futbollin. Më vonë ktheu sytë nga teatri. Prej dy vitesh është futur në Akademinë e Arteve, në degën e regjisë së teatrit në klasën e pedagogëve Mehmet Xhelili dhe Donard Hasani.


I pëlqen regjia e Operës, më shumë se e teatrit, ajo e afron me muzikën. Në vitet e fundit është angazhuar në Teatrin e Operës për regjinë e koncertit festiv "Flamuri që qendisi lirinë" më rastin e festave të Nëntorit dhe te "Grand Ballo 2010". Ai mendon se ky institucion "ka nevojë për njerëz që punojnë me pasion, ka nevojë për frymën e re.


Duhet të punohet me mjeshtërinë e aktorit sepse jo vetëm muzika të përcjell emocion. Opera është teatër në radhë të parë, një teatër me muzikë. Prandaj quhet Teatri i Operës dhe Baletit", thotë i riu, që sheh një ambient teatror të varfër në Shqipëri, një teatër që financohet pak. Edhe një aspekt tjetër e bën më të trishtë realitetin ku i riu punon. "Kur bëhet fjalë për opera, tashmë e dijnë të gjithë se kush i bën.


Është vetëm një njeri. Por, njerëzit kanë nevojë të shohin një dorë tjetër. Unë kam nevojë për një mundësi ku të tregoj talentin dhe zotësitë që kam në kushte normale pune".

http://www.shekulli.com.al

Joomla Templates and Joomla Extensions by ZooTemplate.Com
Banner

We Design

We Design Studio

One Logo Communicate...Thousands Of Ideas. Logo speaks Volumes. We Design

30 March 2011 Lexo me shume...
Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com

Brand Identity

Brand Identity

Colors, shapes, reflect the history that your business want to tell. Let us do what we do best

30 March 2011 Lexo me shume...
Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com

Search Engine

Search Engine

We optimize your Web site for better ranking in search engine results. Study on Keywords, tags, search...

30 March 2011 Lexo me shume...
Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com