
Portieri veteran i kombëtares i beson rezultatit pozitiv në Bosnjë: Kemi mentalitet të fortë
Josip Kuzhe e nisi grumbullimin me 10 kuqezinj dy ditë më parë, duke pasur në krah dy lojtarët më të vjetër të kombëtares: Portierin Arjan Beqaj dhe kapitenin Altin Lala. Arsyeja është e thjeshtë: shembullin e atyre që kanë dhënë kontribut prej gati 15 vjetësh për fanellën kuqezi duhet ta ndjekin edhe më të rinjtë.
Kroati ka thirrur paraprakisht edhe Isli Hidin dhe e ka një arsye të fortë, që është mosaktivizimi i Beqajt për një fazë (e dytë) për arsye dokumentesh. Por Beqaj nuk dorëzohet. Përkundrazi, ka firmosur edhe një vit me Ermisin dhe me kombëtaren e ndien veten të rëndësishëm. “Kur të më ikë ambicia për futbollin, atëherë do ta lë edhe kombëtaren. E ndiej veten në formë, ndaj mendoj se mund të jap kontribut nëse trajneri ka nevojë për mua.”
- Arjan, edhe pse nuk jeni aktivizuar gjatë fazës së dytë, sërish jeni pjesë e kombëtares…?
- Është kënaqësi të vish dhe të japësh kontributin për kombëtaren. Unë e ndiej veten shumë mirë, në formë, pavarësisht se nuk kam luajtur me skuadrën e Ermisit për arsye dokumentacioni.
- Mediat qipriote shkruajnë se keni firmosur edhe një vit kontratë me Ermisin…?
- Po, është e vërtetë. Vendosa ta zgjasja edhe një vit kontratën për shumë arsye, më kryesorja ishte familja. Të them të vërtetën, kisha oferta të tjera, ndër më të mirat nga Izraeli, por siç e thashë më lart, duhet të mendoj dhe t'i qëndroj pranë familjes.
- Në përfundim të sezonit të ardhshëm do ta mbyllni apo…?
- Kam kaluar një vit të vështirë, madje më të vështirin në karrierë. Bëra operacion shpatullën, pastaj këmbën. Kalova shumë peripeci, por tani ndihem mirë. Ky sezon do të jetë një lloj testi për të ardhmen. Nëse gjithçka shkon mirë dhe nuk pësoj dëmtime, pra trupi më përgjigjet pozitivisht, do të luaj edhe më pas.
- Pra, mund të themi se do të jepni kontribut në kombëtare edhe gjatë eliminatoreve të ardhshme?
- E thashë edhe më parë, gjithçka do të varet sesi do të më përgjigjet trupi.
- Po tani, para Bosnjës, pretendoni të jeni qoftë portier i dytë, apo mjafton prania juaj edhe për moral?
- Unë ndihem në formë dhe, nëse trajneri mendon se mund të luaj, do të jem në fushë. Vendimet i përkasin trajnerit. Unë nuk kam ambicie për të zënë vendin e titullarit, sepse e kam pasur këtë rol për shumë kohë. Megjithatë, nuk jam këtu sa për figurë, por për ta ndihmuar skuadrën.
- Besoni te rezultati pozitiv më 7 qershor?
- Duhet ta pranojmë, është një ndeshje shumë e vështirë për ne, por kemi treguar mund të arrijmë më lart. Ndryshe nga e kaluara, Shqipëria ka mentalitet më të fortë dhe mund t'i përballojë takimet e këtij niveli. Nuk dua të flas për ndeshjet pasardhëse apo për kualifikimin e mundshëm, por thjesht për këtë ndeshje. Kam besim se nuk do të dalim pa pikë.
- Gjithsesi, ju dhe disa futbollistë të tjerë veteranë jeni në fund të karrierës. A do ta ktheni kokën pas për pasuesin tuaj?
- Absolutisht jo. Ujkani ka luajtur titullar në disa ndeshje dhe ka treguar personalitet në kombëtare. Ai është ende i ri dhe ka shumë për të përmirësuar, por mund ta them me bindje që nuk do të kem asnjë merak sa i përket portës. Me Samirin flas shumë shpesh. Edhe në me Novarën po zhvillon një sezon shumë të mirë.
“Rinovimi i kombëtares, i pashmangshëm”
Altin Lala do të luajë edhe një sezon tek Hanoveri, por me kombëtaren, siç e deklaron vetë, do ta mbyllë në fund të eliminatoreve. Po kështu edhe Skela është shumë pranë tërheqjes. Pa harruar edhe Bogdanin, që mendon të tërhiqet nga kombëtarja. Janë një grup lojtarësh që kanë dhënë shumë për Shqipërinë, por që një ditë duhet të tërhiqen.
“Rinovimi i skuadrës është një proces i pashmangshëm dhe i vazhdueshëm. Të gjithë lojtarët një ditë duhet të largohen, por është e rëndësishme që ata të cilët vijnë më pas të kenë mentalitetin e duhur për të luajtur me kombëtaren.
Fakti që në skuadër kemi shumë të rinj që kanë qëndruar për një kohë të gjatë me lojtarët më me eksperiencë, pavarësisht se mund të jenë aktivizuar pak, është shumë pozitiv.”
“Të rinjtë të jenë gati për hapin e madh”
Para pak ditësh, një talent i futbollit shqiptar, Odise Roshi, u transferua te Këlni në Bundesligë. Një arritje e madhe për një 20-vjeçar shqiptar, por kur mendon se rikthimet e Hykës, Vilës apo Balës, edhe suksesi i këtij lojtari vihet në dyshim.
“Futbollistët e rinj shqiptarë duhet të kenë shumë kujdes kur ta bëjnë hapin e madh. Sepse mund të jenë të papërgatitur nga ana e mentalitetit për ta përballojmë ndryshimin e madh mes futbollit shqiptar dhe atij Europian.
Më vjen mirë kur dëgjoj se të rinjtë shqiptarë bëhen pjesë e skuadrave të kampionateve të forta dhe dua që ata të ecin sa më shumë. Në këtë mënyrë do t'i vinin në ndihmë edhe kombëtares.
Beqiri, trofeu i parë si “jabanxhi”
Elvin Beqiri fiton trofeun e parë në Azerbajxhan. Khazar Lonkeran, skuadra ku militon mbrojtësi 30 vjeçar, mposhti Interin e Bakusë në finalen e Kupës së Azerbajxhanit pas goditjeve të 11-metërshave. Lojtarët e Khazarit ishin më të saktë, duke realizuar 4 gola, ndërsa kundërshtarët e tyre shënuan vetëm dy herë.
Beqiri nuk luajti në këtë sfidë, madje nuk ishte as në stolin e rezervave, për shkaqe dëmtimi. Kjo është parë qartë edhe në fotot e festës, ku shkodrani, i cili ka qenë një prej shtyllave të ekipit gjatë gjithë sezonit, nuk ishte me veshje sportive.
Tifozët e Karabakut: Teli, numri 1!
Admir Teli, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, është përzgjedhur lojtari më i mirë i sezonit për skuadrën e tij, Karabak. “Azerisport.az”, faqja zyrtare e klubit në internet, ka publikuar rezultatet e votimit, ku shqiptari mbrojtës qendre i skuadrës azere kishte grumbulluar 268 pikë, 4 më shumë sesa mesfushori armen Qiorqi Adamiyan (264 pikë).
Në vendin e tretë renditej kapiteni i kombëtares së Azerbajxhanit, Rashad Sadikov, dhe shqiptari tjetër Ansi Agolli (të dy me pikë të barabarta nga 247). Mbrojtësi shqiptar është shprehur i kënaqur për paraqitjen e tij dhe ka bërë të ditur planet për të ardhmen, teksa ka veçuar pjesëmarrjen në fazën në grupe në Ligën e Europës, ku do të marrë pjesë Karabak.
“Dy edicionet e tjera kemi bërë paraqitje të mira, ndërsa këtë herë kërkojmë më shumë: fazën në grupe. Besoj se është e mundur,” - është shprehur Teli, i cili së bashku me Agollin, më 30 maj do t'i bashkohet kombëtares në grumbullim.
http://www.sportishqiptar.com.al
One Logo Communicate...Thousands Of Ideas. Logo speaks Volumes. We Design
30 March 2011 Lexo me shume...Colors, shapes, reflect the history that your business want to tell. Let us do what we do best
30 March 2011 Lexo me shume...We optimize your Web site for better ranking in search engine results. Study on Keywords, tags, search...
30 March 2011 Lexo me shume...