Home
Home
Galleria
Galleria
Video
Video
Chat
Chat
Kontakte
Kontakte


Gjergj Fishta
Gjergj Fishta

Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si 'poet kombëtar i Shqipërisë' dhe 'Homeri shqiptar', Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë. Kush ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin 'poet kombëtar'edhe gjysmë shekulli më vonë?
Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij çuni të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë prift, si dhe shumë djem të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo, djaloshi Gjergj studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (Grga Martiæ, 1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranjèeviæ, 1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar e me të cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhrin françeskan. Me t'u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 ai bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), abati me influencë i Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit të shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 19081, ende fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër.

 

Gjuha Shqipe



Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!



Shqypnia



Edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t' tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t' fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.



Lamtumire



Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t’veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju “shkurre e mreta”!
Lamtumire ju o armt e t’parve
Lamtumire për sa t’jetë jeta.



Lahuta e Malesise - Deshmoreve



O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!

Partners