Poema e Mjerimit
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n'ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë.
E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit te kërthini
dridhet posi flaka e mekun qirini
nën tavan të tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smueme qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna të së zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.
Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fytyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".
Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat të vet i dytë;
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe në trashigim
jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e në gjoks ndoj dhimbë,
mund që të len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shtëpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambë të randë të zotit t'egërsuem
thotë prifti vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nandhetenand' halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt
kur njëqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh,
që t'apin litarin të shkojsh fill' e të varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
të cilt në mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' në shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
Kenga e Rinise
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
E na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.
|
Balade Qytetese
Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije... jo! por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit' e saj me kreni
shpërtheheshin n'aromë,
kur ish e njomë
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall' e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qyteti tonë.
Dy Buze
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithen
në buzë kur m'u njitën
andjet m'i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mormë
një pjesë zemre më nxormë,
dhe gëzimin ma vodhnë...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.
Kenga e te Burgosurit
Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
aq larg asht qielli nga e emja gropë.
E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg' i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.
Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.
E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m'i kryqzojnë syt',
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në murt
si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.
Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve si në një gropë.
Malli Rinuer
Valët muzikore fluturojnë nga përndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen
mbrenda në zemrën teme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli për jetë ma gazmore.
Malli rinuer për jetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull pëmdimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.
Recital i Malesorit
O, si nuk kam një grusht të fortë
t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë,
ta dij dhe ai se ç'domethanë i dobët -
n'agoni të përdihet si vigan i vramë.
Unë lugat si hij' e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t'instinktit.
Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë...
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.
Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.
|